Gjykata Themelore Penale Shkup, duke vepruar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Publike Shkup, që e ka ngritur kundër F.G. nga Shkupi, pas seancës kryesore, publike dhe me gojë, më 31 korrik 2023, e shpalli të pandehurin fajtor për kryerjen e veprës penale nga urrejtja për dhunën e kryer vitin e kaluar gjatë një tubimi protestues në Shkup ndaj Bekim Asanit, aktivist për të drejtat e njeriut dhe kryetar i Shoqatës për fuqizim dhe përfaqësim të komunitetit LGBTI, LGBTI JUNAJTED nga Shkupi.
Gjykata me aktgjykimin e dhënë dhe të shpallur publikisht të gjyqtares Daniela Dimovska e shpalli fajtor të pandehurin sepse “me datë 31.08.2022 rreth orës 16:20 në rrugën “Bitpazarska” në sheshin “Skënderbeg” në Shkup, i pandehuri ka kryer dhunë të rëndë ndaj viktimës Bekim Asani, të kryer nga urrejtja për shkak të orientimit të tij seksual dhe përkatësisë në komunitetin LGBT, gjatë së cilës i ka shkaktuar lëndime fizike, duke shkaktuar kështu ndjenjën e pasigurisë, kërcënimit dhe frikës në opinion, në mënyrë të tillë që derisa i dëmtuari bashkë me më tepër persona ka pritur që të fillojë tubimi publik i paralajmëruar i qytetarëve për solidaritet dhe mbështetje lidhur me dhunën ndaj një vajze njëmbëdhjetëvjeçare nga Republika e Kosovës, në një moment i akuzuari i është afruar dhe ka filluar ta ofendojë për shkak të orientimit të tij seksual, e më pas edhe fizikisht e ka sulmuar duke e goditur me shqelma dhe grushte në pjesën e kokës dhe trupit, duke i shkaktuar lëndim trupor të shprehur në formë të lëndimit të topitur në pjesën e kokës dhe lëndim të topitur në pjesën e ijëve”.
Me veprime të tilla i akuzuari F.G. ka kryer vepër penale nga neni 386 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, dhe në përputhje me nenin e cituar si dhe nenet 3, 4, 7, 29, 30, 31, 32, 33, 35 dhe 39 të Kodit Penal, si dhe nenet 102, 105 dhe 114 të Ligjit për Procedurë Penale, gjykata e dënon të pandehurin, i cili aktualisht nuk është në dispozicion të organeve të rendit, me burgim prej dy vjetësh – thuhet në aktgjykimin e gjykatës.

Gjykata, në arsyetimin e saj, e sheh të nevojshme të theksojë kuptimin e konceptit të krimeve të urrejtjes të theksuar në një mori dokumentesh dhe aktesh ndërkombëtare, të transpozuara siç duhet në legjislacionin vendas. Në legjislacionin penal, koncepti i një akti kriminal të urrejtjes po kalon nën ndikim të fortë, nga njëra anë, nga qëndrimet dhe aktivitetet e OSBE-së, duke filluar nga Këshilli i Ministrave i shteteve anëtare të OSBE-së në Mastriht në vitin 2003, kur u miratuan vendime të rëndësishme në lidhje me parandalimin dhe dënimin të akteve të motivuara nga intoleranca ndaj grupeve të caktuara shoqërore (“Vepra nga urrejtja”), dhe ODIHR-it i është besuar mandati për të inkurajuar dhe koordinuar aktivitetet e shteteve anëtare për zbatimin e tyre. Për herë të parë, koncepti i krimeve të urrejtjes është inkorporuar në legjislacionin tonë me miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal të vitit 2009, kur parashikohet që gjatë përcaktimit të dënimit, gjykata të marrë parasysh nëse vepra është kryer për shkak të ndonjë nga përkatësit e viktimës. Kështu, kryerja e krimit për shkak të ndonjë baze diskriminuese në dispozitat e përgjithshme të Kodit Penal ngrihet në shkallën e një rrethane të përgjithshme rënduese.
Krimet e urrejtjes dhe incidentet e urrejtjes i lënë viktimat në frikë nga sulmet e ardhshme dhe dhunë të mëtejshme. Një frikë e tillë vjen nga mohimi i identitetit të viktimës i nënkuptuar në krimet e urrejtjes. Përveç kësaj, krimi i urrejtjes dërgon një mesazh se viktima nuk pranohet në shoqërinë ku jeton. Si pasojë, ata që sulmohen mund të ndjejnë izolim ekstrem në shoqëri dhe frikë të shtuar dhe afatgjatë, ndryshe nga viktimat e krimeve të tjera – thekson gjykata.
Kur krimet e urrejtjes nuk hetohen dhe ndiqen plotësisht, autorëve u dërgohet mesazhi se ata janë të lirë të vazhdojnë aktivitetet e tyre, duke i inkurajuar ata të kryejnë veprime të ngjashme. Mosndëshkimi për autorët e krimeve të urrejtjes kontribuon në rritjen e nivelit të dhunës Në mungesë të mbrojtjes nga dhuna e bazuar në urrejtje, komunitetet pakicë (si komuniteti LGBTI, vërejtje e jona) humbasin besimin në sistemin e zbatimit të ligjit dhe strukturat shtetërore, duke i lënë ato më tej të margjinalizuara. Në rastin më të keq, krimet e urrejtjes mund të shkaktojnë sulme hakmarrëse nga grupet e viktimave, duke krijuar një cikël dhune.
Përcaktimi për një trajtim të veçantë, më të rreptë penalo-juridik të këtyre akteve është inkorporuar në konventat për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut (nga konventat për gjenocidin, krimet kundër paqes dhe krimet e luftës, deri te konventat për parandalimin e diskriminimit racor dhe diskriminim tjetër dhe shpërndarja e urrejtjes dhe ksenofobisë). Disa akte (direktiva dhe vendime kuadër) të Bashkimit Evropian janë në të njëjtën linjë. Republika e Maqedonisë së Veriut, si nënshkruese ndër vendet e para dhe si shtet kandidat për anëtarësim në BE, është e obliguar që në legjislacionin e saj penal të inkorporojë konceptin e krimit të urrejtjes dhe të sigurojë zbulimin dhe ndjekjen efektive të krimeve të tilla.
Gjykata i referohet çështjes „Identoba dhe të tjerët kundër Gjeorgjisë“ në të cilën Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) vëren se gjoba për një shkelje nuk përbën një dënim të përshtatshëm për shkeljen e neneve 3 dhe 11 në lidhje me nenin 14. Më tepër që ka pasur akuza të rënda se motivi ka qenë paragjykimi ndaj personave me orientime të ndryshme seksuale. Ekzistenca e treguesve të tillë kërkon që hetimi të zbulojë ekzistencën e motiveve paragjykuese, të cilat vërtetojnë kryerjen e një krimi nga urrejtja. Këto krime, si rregull, dënohen më rëndë se krimet e zakonshme. Prej andej del detyrimi që rrjedh nga jurisprudenca e GJEDNJ-së për të hetuar çdo motiv racist apo diskriminues. Qëllimi është i qartë, të sigurohet mbrojtje ligjore dhe institucionale për komunitetet pakicë në një shoqëri plurale dhe në këtë mënyrë të sigurohet kohezion më i madh social dhe mbrojtje e rendit dhe paqes publike.
Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, gjykata penale e shpalli fajtor të akuzuarin dhe e dënoi me burgim prej dy vjetësh, duke pritur që me shqyrtimin e tillë të dënimit do të arrihen qëllimet e përgjithshme dhe të veçanta të dënimit në kuptim të nenit 32 të Kodit Penal, sipas planit të parandalimit të veçantë dhe të përgjithshëm, në kuptimin e ndikimit edukativ që të mos kryhen krime të tilla apo të tjera në të ardhmen.