Si një nga vendet e para, ose më saktë i dyti, që legalizoi martesat e të njëjtit seks në vitin 2003, Belgjika edhe dy dekada më vonë konfirmon angazhimin e saj për barazinë dhe të drejtat e njeriut. Qeveria belge ka vendosur të festojë 20 vjetorin e barazisë martesore me fushatë ndërkombëtare që promovon vlerat belge dhe evropiane.
Në veçanti bëhet fjalë për këngën “The Right Words” të artistes belge Alice on the Roof. Ajo u frymëzua nga historia e dashurisë së dy mikeve të saj dhe me këngën e saj i dërgon botës një mesazh dashurie, mbështetjeje, mirëkuptimi, pranimi dhe solidariteti, transmeton internet-portali CroL. “Vargjet e mia mishërojnë mendimet e tyre të thella,” tha Alis, “dhe pyetjes si ‘A më pëlqen kjo vajzë? A do të thotë kjo që më pëlqejnë vajzat? A kam të drejtë të pranoj ndjenjat e mia dhe të them ‘Të dua; Të dua?’, në Belgjikë përgjigja është apsolutisht ‘PO’.”.
Kush është Alice on the Roof?
Alis Dutoa (origj. Alice Dutoit) është një artiste e talentuar belge, pseudonimi i së cilës është një lojë fjalësh nga mbiemri i saj, që përkthehet në “nga çatia” (from the roof). Ajo ka lindur në vitin 1995 dhe gjatë gjithë punës së saj shumëvjeçare eksploron temat e vetënjohjes, introspeksionit dhe kompleksitetit të emocioneve njerëzore, të gjitha në një mënyrë shumë kreative dhe autentike me elemente të muzikës pop, folk dhe elektronike.
Ajo mori pjesë në “The Voice-in” belg në të cilin arriti deri në gjysmëfinale, pas së cilës ajo publikoi këngën e saj të parë “Easy Come Easy Go” e cila u bë mjaft e njohur në Belgjikë. Përveç kësaj, Alis është një avokate e zëshme e të drejtave të personave LGBTI+ dhe për këtë arsye ajo është përfaqësuesja vokale e kremtimit të 20 vjetorit të futjes së barazisë martesore në Belgjikë.
E vendosur në zemër të Evropës, ku hapja ndaj diversitetit është shkruar praktikisht në kodin gjenetik të vendit, Belgjika ka qenë gjithmonë një pioniere në të drejtat civile. Më 20 janar 2003, parlamenti belg miratoi me shumicë dërrmuese ligjin që transformoi jetën e shumë çifteve të të njëjtit seks në atë kohë.
34 vende në botë kanë legalizuar martesat e të njëjtit seks
Institucioni i martesës ka mbetur i pandryshuar, por është shtrirë për çiftet që deri atëherë nuk mundnin ta gëzonin, për shembull, të drejtën e birësimit të fëmijëve dhe të drejta të tjera të rezervuara më parë vetëm për çiftet heteroseksuale. Shumë e zhvilluar, shumëgjuhëshe dhe ambicioze, Belgjika është bërë shembull për vendet e tjera, duke i frymëzuar ata në rrugën drejt një shoqërie më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse që feston dashurinë në të gjitha format e saj.
Deri më sot, 34 vende në botë kanë legalizuar martesat e të njëjtit seks. Evropa është në ballë të lëvizjes progresive për të drejtat e njeriut – deri në 33 vende evropiane i njohin bashkësitë e të njëjtit seks përmes martesës, partneritetit ose diçkaje tjetër.
Holanda ishte e para që e bëri këtë në vitin 2001, e ndjekur nga Belgjika. Në vitet në vijim, shumë vende të mëdha evropiane u bashkuan, por rruga drejt njohjes ligjore të martesave të të njëjtit seks ishte dhe është ende mjaft e vështirë.
Në Maqedoninë e Veriut, bashkësitë e të njëjtit seks nuk njihen ligjërisht dhe nuk gëzojnë asnjë të drejtë. Në Ligjin për Familjen, martesa përkufizohet si “bashkësi e jetës midis një burri dhe një gruaje”, e po ashtu edhe bashkëjetesa. Sipas hartës së ylberit të ILGA-Europe, vendi ynë ka arritur vetëm 29% të reformave të nevojshme për të arritur barazinë e plotë të personave LGBTI dhe është në vendin e 32-të në renditjen e 49 vendeve evropiane. Familja është një nga fushat në të cilat ne qëndrojmë më keq kundrejt progresit. Nga ana tjetër, kemi Belgjikën, e cila zyrtarisht, nga instanca më e lartë legjislative, feston me këngë barazinë ligjore dhe diversitetin social. Nga zemra e Evropës vjen ndryshimi, pranimi dhe, së fundi, triumfi i dashurisë dhe drejtësisë.