Kryeministri britanik Rishi Sunak javën e kaluar i kërkoi ndjesë të sinqertë komunitetit LGBT+ për ndalesën prej dekadash që i pengoi ata të shërbenin në forcat e armatosura të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut. Kërkimi i faljes pasoi publikimin e një revizioni të porositur nga shteti, i cili zbuloi ndikimin e tmerrshëm të ndalesës, duke lënë një njollë të errët në historinë ushtarake të vendit.
Pavarësisht dekriminalizimit të pjesshëm të homoseksualitetit në Angli dhe Uells në vitin 1967, ushtria britanike vazhdoi ta praktikonte ndalesën deri në vitin 2000. Revizioni, i kryesuar nga gjyqtari në pension dhe anëtari i Dhomës së Lordëve Terend Eterton, nxori në pah rrëfime shqetësuese për homofobinë, abuzimin, dhunën dhe maltretimet të cilat i kanë vuajtur ata që i shërbyen vendit të tyre.
Viktimat kanë ndarë histori të ngacmimeve seksuale, maltretimeve dhe madje edhe praktikave të terapisë së konvertimit që i kanë çuar në probleme serioze të shëndetit mendor, të ngelin të pastrehë dhe vështirësi financiare. Pasojat e ndalesës kanë qenë aq të rënda sa disa pjesëtarë të ushtrisë morën jetën në mënyrë tragjike, ndërsa të tjerë vazhduan të vuanin nga çrregullimi i stresit post-traumatik.
Të mbijetuarit e kësaj periudhe të errët kanë pritur më shumë se dy dekada për njohje, drejtësi dhe kompensim. Kryeministri Sunak, në emër të shtetit britanik, shprehu keqardhje të thellë dhe kërkoi falje formale për vuajtjet e pafundme të shkaktuara këtyre njerëzve.
Mbretëria e Bashkuar po përballet me historinë e saj dhe po punon drejt një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse dhe empatike, kështu që kjo falje shërben si një hap kyç drejt shërimit të plagëve të shkaktuara në komunitetin LGBT+ gjatë atyre kohërave problematike.