Kalo tek përmbajtja

Letonia e fitoi presidentin e parë gej në BE

Ministri për Punë të Brendshme i Letonisë, Edgars Rinkeviçs i cili për shumë vite qëndroi në këtë post, tash më është presidenti i parë gej të një vendi anëtar të Bashkimit Evropian. Rinkeviçs, i cili ishte në funksionin Ministër për Punë të Brendshme punoi nga viti 2011, u betua si President i Letonisë më 8 korrik në Riga. Edhe pse pozicioni i presidentit në Letoni është kryesisht ceremonial, ai mund të vërë veto ndaj ligjeve dhe të thërrasë referendum për ndonjë çështje.

Në qeveritë e vendeve të BE-së ka pasur homoseksualë në poste të larta, si kryeministri aktual i Luksemburgut, Xavier Bethel, por nuk ka pasur kurrë një president homoseksual. Ish-kryeministri belg Elio di Rupo ishte kryeministri i parë homoseksual në BE.

Rinkeviçs publikisht doli si gej në vitin 2014 dhe që atëherë ka qenë një avokat i zëshëm për të drejtat LGBTI.

Martesat e të njëjtit seks nuk janë të legalizuara në Letoni, edhe pse gjykata kushtetuese e vendit vitin e kaluar i pranoi bashkësitë e të njëjtit seks. Sipas hartës dhe indeksit të ylberit të ILGA-Evropës, Letonia është në vendin e 37-të në renditjen e vendeve evropiane me vetëm 22% të reformave të nevojshme për arritjen e barazisë së plotë për personat LGBTI, dhe renditet më keq se Maqedonia e Veriut (29%), e cila këtë vit ishte në vendin e 32-të.

Në maj, parlamenti letonez zgjodhi Rinkeviçs si presidentin e ardhshëm të vendit në raundin e tretë të votimit. Në fjalimin e tij inaugurues, ai e quajti pabarazinë një “problem të rëndësishëm” dhe vuri në dukje se “ndarja sociale në shoqërinë tonë është shumë e madhe”.

“Gjatë presidencës sime, unë do të përpiqem për krijimin e një Letonie moderne dhe të fortë, për një Letoni ligjore dhe të drejtë, për mirëqenien e njerëzve, për një shoqëri gjithëpërfshirëse plot respekt. Dhe kjo është e mundur duke punuar së bashku”, tha presidenti letonez.

Letonia është një nga tre shtetet baltike, duke përfshirë Lituaninë dhe Estoninë, që iu bashkuan BE-së në vitin 2004 pas rënies së Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve ‘90.