Jeni lesbike, gej, biseksual, trans, interseksual ose person queer që jetoni në Evropë? Nëse është kështu, është koha zëri juaj të dëgjohet! Agjencia e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore ka nisur sondazhin e tretë të BE-së mbi komunitetin LGBTIQ, një nismë gjithëpërfshirëse për regjistrimin e përvojave, pikëpamjeve dhe shqetësimeve të personave LGBTIQ në Evropë. Rezultatet e këtij sondazhi do të kenë një rol kyç në krijimin e politikave për mbrojtjen dhe promovimin e mëtejshëm të të drejtave të personave LGBTIQ.
Ky sondazh pionier është i hapur për të gjithë personat LGBTIQ të moshës 15 vjeç e lartë që jetojnë në 30 vende, duke përfshirë 27 vendet anëtare të BE-së si dhe Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Qëllimi i tij primar është t’u mundësojë pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ të ndajnë përvojat, historitë dhe shqetësimet e tyre.
Anketa do të mbetet e hapur për t’u plotësuar deri në fund të muajit korrik 2023, duke u dhënë pjesëmarrësve kohë të mjaftueshme të japin njohuritë e tyre të vlefshme. Të dhënat e mbledhura do të përdoren për të vlerësuar progresin që nga anketa e mëparshme e kryer në vitin 2019, ndërsa rezultatet e sondazhit të këtij viti do të publikohen në vitin 2024.
Gjetjet e sondazhit të vitit 2019 zbuluan se Evropa ka ende një rrugë të gjatë për të bërë për të arritur barazi të plotë për personat LGBTI. Ende ka nivele të larta të dhunës dhe diskriminimit ndaj personave LGBTI, si dhe frikë nga lëvizja e lirë si person LGBTI. Megjithatë, të dhënat nga sondazhi i mëparshëm luajtën një rol kyç në formësimin e Strategjisë për Barazi të Personave LGBTIQ 2020-2025 të Komisionit Evropian . Vështrimet e ofruara kanë kontribuar në zhvillimin e politikave dhe iniciativave për trajtim të barabartë që synojnë mbështetjen dhe mbrojtjen e personave LGBTI në mbarë Evropën.
Agjencia e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore inkurajon pjesëtarët e komunitetit LGBTIQ të marrin pjesë në sondazh, duke i ftuar ta tregojnë mendimin e tyre dhe ta ndajnë anketën me familjen dhe miqtë e tyre. Duke bashkuar forcat, individët mund të jenë më të zëshëm dhe të punojnë së bashku për të krijuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse ku diversiteti pranohet dhe respektohet.
Për të qëndruar të informuar me progresin e sondazhit dhe për t’u përfshirë në diskutime, pjesëmarrësit mund ta ndjekin anketën në mediat sociale duke përdorur hashtagun #LGBTIQsurvey.
Pjesëmarrja në sondazh është një proces mjaft i thjeshtë që do t’ju marrë vetëm 20 minuta nga koha juaj. Është e rëndësishme të theksohet se të gjitha përgjigjet janë anonime dhe të dhënat ruhen në vend në pajisje dhe fshihen pasi të përfundojë sondazhi. Për të siguruar zbatimin e suksesshëm të sondazhit, Agjencia e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore angazhoi „Agilis“ dhe „Metron Analysis“, kompani konsulente statistikore, si dhe „Homo Evolution“, një agjenci komunikimi LGBTI.
Tani është koha për të dëgjuar zërat tuaj dhe për të kontribuar në ndryshime pozitive duke marrë pjesë në sondazh Plotësoni sondazhin dhe ndihmoni në formimin e një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse për të gjithë anëtarët e komunitetit LGBTIQ në Evropë.