Kalo tek përmbajtja

Muaji i Krenarisë: Kohë për të festuar përparimin dhe për të reflektuar mbi sfidat

Muaji qershor është i njohur si Muaji i Krenarisë, kohë kur komuniteti LGBTI dhe aleatët e tij mblidhen për të festuar diversitetin, barazinë dhe luftën e vazhdueshme për të drejtat e lezbikeve, gej – burrave, biseksualëve/eve, personave transgjinorë dhe personave queer. Edhe pse muaji është i mbushur me gëzim dhe krenari, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se për komunitete tjera në botë ai gjithashtu mund të jetë një kohë për reflektim dhe ndërgjegjësim.

Origjina dhe kuptimi i Muajit të Krenarisë

Muaji i Krenarisë i ka rrënjët në trazirat e Stonewall-it, një seri demonstratash që u zhvilluan në qershor të vitit 1969 në qytetin e Nju Jorkut. Në atë kohë, njerëzit LGBTI janë përballur me diskriminim të gjerë dhe shpesh kanë qenë të nënshtruar bastisjeve të policisë dhe arrestimeve në baret e homoseksualëve. Trazirat përfaqësojnë një pikë kthese në lëvizjen për të drejtat LGBTI, pasi inkurajuan një valë aktivizmi dhe hapën rrugën për avokimin e ardhshëm.

Muaji i Krenarisë shërben si një përkujtim i Rebelimit të Stonewall-it dhe nderim i luftës për të drejtat e LGBTI. Në këtë muaj festohen arritjet dhe kontributet e personave LGBTI, zmadhohet ndërgjeshmëria për të drejtat e tyre dhe promovohet pranimi dhe gjithëpërfshirja.

Muaji Krenarisë në Maqedonin e Veriut: Kohë për të reflektuar

Edhe pse Muaji i Krenarisë është një kohë festimi dhe fuqizimi për komunitetin global LGBTI, është thelbësore të njihen sfidat unike me të cilat përballen rajone dhe komunitete të ndryshme. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, situata thekson nevojën për përparim dhe përpjekje të mëtejshme për të mbrojtur të drejtat e personave LGBTI.

Sipas hartës së ylberit dhe indeksit të publikuar nga ILGA-Evropë në maj 2023, në të cilën renditen situata juridike dhe politike e personave LGBTI në 49 shtete, Maqedonia e Veriut për vitin e kaluar ka shënuar prapambetje, duke rënë nga vendi 31 në 32. Kjo rënie sugjeron se progresi i vendit në lidhje me të drejtat e LGBTI është në stagnim.

Pavarësisht polarizimit dhe dhunës në rritje në diskursin publik ndaj personave transgjinorë, gjë që është edhe në vendin tonë, vendosmëria politike për të avancuar të drejtat e personave LGBTI ka rezultuar e vlefshme në disa vende. Gjegjësisht, vendet që futën njohjen ligjore të gjinisë duke përdorur modelin e vetëvendosjes dhe ndalimit të gjymtimit gjenital të personave interseks shënuan ngjitjen më të madhe në hartën e ylberit. Përparimi i legjislacionit për të përfshirë identitetin gjinor dhe karakteristikat gjinore në ligjet kundër diskriminimit dhe/ose krimit të urrejtjes kontribuoi gjithashtu në ngritjen e disa shteteve në renditje.

Në vendin tonë për disa vite radhazi nuk ka asnjë progres në pozitën dhe aksesin në të drejtat e njeriut të personave LGBTI. Vendi ynë ka realizuar vetëm 29% të reformave të nevojshme për arritjen e barazisë së plotë për personat LGBTI dhe vetëm Bullgaria renditet më keq se ne nga vendet e rajonit me 20%. Serbia, Kosova dhe Shqipëria kanë nga 35%, B dhe H 40%, Sllovenia 46%, Kroacia 49%, Greqia 57%, ndërsa Mali i Zi është para shteteve tjera të Ballkanit me 61%. Më keq renditen Romania me 18% dhe Turqia me 4%.

Ne kemi bërë përparimin më të madh në fushën e shoqërisë civile (100%), 45% në aspektin e barazisë dhe mosdiskriminimit, 33% në aspektin e azilit, 26% në fushën e krimeve të urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes, ndërsa jemi më keq për sa i përket njohjes ligjore të gjinisë (6%), familjes (4%) dhe integritetit trupor të personave interseks (0%).

Statistikat nga harta e ylberit – thirrje për zgjim

Rishikimi i statistikave nga harta e ylberit duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi për Maqedoninë e Veriut që të rishqyrtojë qasjen e saj ndaj të drejtave të personave LGBTI dhe t’i japë përparësi reformave të nevojshme. Sipas raportit të përbashkët të ILGA-Europe dhe ERA të publikuar në prill 2023, disa nga prioritetet kryesore të treguara për Maqedoninë e Veriut janë: Qeveria përsëri t’i vendosë në procedurë parlamentare propozim-ndryshimet të Ligjit për Evidencat Amë, me qëllim personave transgjinorë t’ju mundësohet njohje ligjore e gjinisë bazuar në vetëvendosje; miratim i Planit Kombëtar të Veprimit për avancimin e të drejtave të komunitetit LGBTI; qeveria duhet të inkuadroj një përkufizim të gjuhës së urrejtjes në Kodin Penal që të përfshijë në mënyrë eksplicite të gjitha llojet e gjuhës së urrejtjes të motivuara nga paragjykimet bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor, shprehjen gjinore dhe karakteristikat gjinore; me qëllim të implementimit të drejtë të Ligjit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, një numër i madh ligjesh ende duhet të harmonizohen; është jashtëzakonisht e rëndësishme të rivendoset buxheti për Programin Kombëtar për Mbrojtjen e Popullsisë nga HIV/AIDS, siç ishte planifikuar fillimisht. Megjithatë, duke pasur parasysh klimën dhe dinamikën aktuale, duket se temat LGBTI nuk janë aspak në fokus dhe prioritete të kësaj qeverie të kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, e cila aktualisht është e preokupuar me aktivitete parazgjedhore dhe fushatë PR në prag të zgjedhjeve parlamentare që duhet të mbahen në vitin 2024.

Dhe përdërsa Muaji i Krenarisë vazhdon, është thelbësore të kujtojmë se ndërkohë që po bëhet përparim në shumë pjesë të botës, ka ende sfida dhe pabarazi që duhet të zgjidhen. Pozicionimi i Maqedonisë së Veriut në hartën e ylberit shërben si një kujtesë se ende duhet bërë punë për të siguruar barazi të plotë dhe mbrojtje të të drejtave të personave LGBTI. Është koha që Maqedonia e Veriut të mendojë për pozicionin e saj aktual, të dëgjojë zërat e komunitetit LGBTI dhe të ndërmarrë hapa seriozë drejt sjelljes së reformave të nevojshme. Duke pranuar inkluzivitetin, duke ushqyer diversitetin dhe duke avokuar për të drejta të barabarta, Maqedonia e Veriut mund të krijojë një shoqëri ku të gjithë njerëzit mund të jetojnë me dinjitet dhe pa frikë nga diskriminimi. Muaji i Krenarisë shërben si një kujtesë e luftës së vazhdueshme për të drejtat e personave LGBTI dhe është një mundësi për komunitetet që të bashkohen, të festojnë diversitetin dhe të solidarizohen me ata që vazhdojnë të luftojnë për barazi në mbarë botën.