Kalo tek përmbajtja

Të bashkuar në diversitet: Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë, 17 maj

Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë (IDAHOBIT) festohet çdo vit më 17 maj për të tërhequr vëmendjen ndaj diskriminimit, dhunës dhe margjinalizimit me të cilin përballen personat LGBTI në mbarë botën. IDAHOBIT u shënua për herë të parë në vitin 2004 nga shkrimtari dhe aktivisti francez Louis-Georges Tin, i cili krijoi ditën për të përkujtuar heqjen e homoseksualitetit nga Klasifikimi Ndërkombëtar i Sëmundjeve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitin 1990. Data 17 maj u zgjodh për të shënuar përvjetorin e këtij vendimi historik. Sot, IDAHOBIT njihet nga shumë qeveri, organizata dhe njerëz në mbarë botën dhe është bërë një mundësi e rëndësishme për të rritur ndërgjegjësimin dhe avokimin për të drejtat e personave LGBTI.

Tema e këtij viti e IDAHOBIT, “Gjithmonë së bashku: Të bashkuar në diversitet”, thekson fuqinë e solidaritetit, komunitetit dhe aleancës përtej identiteteve, lëvizjeve dhe kufijve të ndryshëm. Në kohë kur progresi i bërë nga komunitetet LGBTI anembanë botës është gjithnjë e më shumë nën kërcënim, është thelbësore të njihet rëndësia e bashkimit në të gjithë diversitetin tonë të bukur për të sjellë ndryshim përmes veprimeve kolektive për të luftuar diskriminimin dhe për të promovuar përfshirjen. Duhet të kemi parasysh faktin se homofobia, bifobia dhe transfobia nuk janë probleme të izoluara, por forma të ndërlidhura të shtypjes që kërkojnë përpjekje kolektive për t’u kapërcyer.

Diskriminimi ndaj personave LGBTI merr shumë forma dhe ndodh në mjedise të ndryshme si shkolla, vendet e punës, objektet shëndetësore dhe hapësirat publike. Homofobia, bifobia dhe transfobia jo vetëm që përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut, por gjithashtu kanë një efekt të dëmshëm në shëndetin mendor dhe fizik të individëve. Sipas hulumtimeve, personat LGBTI janë në rrezik më të madh për të zhvilluar depresion, ankth, abuzim me substancat dhe vetëvrasje.

IDAHOBIT është një mundësi kyçe për të sfiduar qëndrimet dhe sjelljet e dëmshme ndaj personave LGBTI dhe për të promovuar gjithëpërfshirjen dhe pranimin. Dita shërben si një kujtesë se të gjithë kanë rolin e tyre në promovimin e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes. Qoftë nëpërmjet edukimit, avokimit apo thjesht shprehjes së mbështetjes dhe solidaritetit, ne të gjithë mund të kontribuojmë në krijimin e një bote më të sigurt dhe më mikpritëse për personat LGBTI.

Grupi parlamentar ndërpartiak për promovimin e të drejtave të personave LGBTI do të shënojë Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë më 17 maj 2023, me fillim nga ora 11:00, në sallën “Boris Trajkovski” në Kuvendin e RSM-së, dhe në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, institucionet dhe trupi diplomatik. Më vonë gjatë ditës, duke filluar nga ora 17:00, në ambientet e Qendrës së komunitetit LGBTI në Shkup, organizohet festimi i IDAHOBIT nga “LGBTI Junajted”, shoqatë për fuqizimin dhe përfaqësimin e komunitetit LGBTI. E themeluar në vitin 2012, shoqata feston këtë muaj 11 vjetorin e ekzistencës së saj.