Kalo tek përmbajtja

ILGA-Evropë dhe ERA me një raport të përbashkët për situatën me të drejtat e personave LGBTI në vendet në zgjerim

ILGA-Evropë, në bashkëpunim me Shoqatën për të Drejta të Barabarta për Personat LGBTI në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi (ERA), publikuan së fundmi raportin e tyre vjetor mbi situatën e të drejtave të personave LGBTI në vendet që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Raporti shqyrton mangësitë në legjislacionin dhe politikat për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave LGBTI në vendet në zgjerim dhe gjithashtu identifikon prioritetet me të cilat duhet të merret Bashkimi Evropian për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Raporti i këtij viti mbulon dhjetë vende: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia dhe Ukraina.

Në raport vërehet se viti 2022 ishte i rëndësishëm për procesin e zgjerimit, me atë se Bashkimi Evropian i përfshiu Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë në procesin e raportimit vjetor. ILGA-Evropë ka organizata anëtare në tre vendet dhe për këtë arsye rishikimi ofron një perspektivë nga të dhjetë vendet. Për më tepër, raporti fokusohet në zbatimin e politikave dhe legjislacionit ekzistues, me çka kapitulli për çdo vend është i ndarë në seksione të ndryshme, duke përfshirë prioritetet për vitin në vijim, zbatimin e politikave ekzistuese, reagimet mbi Raportin e Zgjerimit të Komisionit Evropian 2022 dhe rekomandimet për BE-në.

Fatkeqësisht, rishikimi nxjerr në pah një prirje të qartë të sfidimit të sundimit të ligjit, ndikimin e huaj që ushtrohet për të vënë në pikëpyetje progresin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave LGBTI, dhe një rritje të gjuhës së urrejtjes që kthehet në dhunë në terren. Raporti zbuloi gjithashtu se temat LGBTI po përdoren për të polarizuar shoqërinë, duke tërhequr shpesh vëmendjen nga çështje më të gjera si demokracia dhe sundimi i ligjit.

Është thelbësore që BE-ja të vendosë të drejtat LGBTI në ballë të diskutimeve të saj, me kërkesat për të avancuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut për personat LGBTI duke iu kushtuar e njëjta rëndësi si luftës kundër korrupsionit dhe avancimin e sundimit të së drejtës. Raporti thekson rëndësinë e rivendosjes së një perspektive të qartë për zgjerimin e BE-së, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, dhe fillimi i negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut konsiderohet një hap inkurajues.

Disa nga prioritetet kryesore të treguara për Maqedoninë e Veriut janë: Qeveria përsëri të rifusë në procedurë parlamentare ndryshimet e propozuara në Ligjin për të dhënat e lindjes, me qëllim që t’u mundësohet personave transgjinorë njohje ligjore të gjinisë së tyre në bazë të vetëvendosjes; miratimi i Planit Kombëtar të Veprimit për avancimin e të drejtave të komunitetit LGBTI; Qeveria duhet të fus një përkufizim për gjuhën e urrejtjes në Kodin Penal që të përfshijë në mënyrë eksplicite të gjitha llojet e gjuhës së urrejtjes të motivuar nga paragjykimi bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor, shprehjen gjinore dhe karakteristikat gjinore; me qëllim të zbatimit siç duhet të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, një numër ligjesh ende duhet të harmonizohen; Është jashtëzakonisht e rëndësishme të rivendoset buxheti për Programin Kombëtar për Mbrojtjen e Popullsisë nga HIV/AIDS, siç ishte planifikuar fillimisht.

Së fundi, mund të përmbledhim se ky raport vjetor është një mjet kyç për vlerësimin e situatës me të drejtat LGBTI në vendet në zgjerim dhe ofron një pasqyrë të rëndësishme në sfidat me të cilat përballen personat LGBTI dhe organizatat e shoqërisë civile. Raporti thekson nevojën që BE-ja t’i japë përparësi mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve, përfshirë ata nga komuniteti LGBTI. BE-ja duhet të kujdeset që kërkesat për avancimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të vendosen në të njëjtin nivel me proceset e rëndësishme për luftimin e korrupsionit dhe avancimin e sundimit të së drejtës.