Të premten, më 31 mars, në ora 16, në Shkup, me fillim para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të mbahet Marshi i Personave Transgjinorë, në kuadër të fushatës për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Dukshmërisë së Njerëzve Transgjinorë – njoftojnë nga nisma për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të personave transgjinorë “TransFormA”. Me këtë event, “TransFormA” i bashkohet për të pestën herë aksionit global për solidaritet me me personat transgjinorë, me synim për të reduktuar dhunën dhe diskriminimin me të cilin përballet çdo ditë ky grup i margjinalizuar.
“Ashtu si të gjitha vitet e kaluara, edhe këtë vit me vendosmëri dhe pa mëdyshje kërkojmë që Ligji për Njohjen Ligjore të Gjinisë të futet përfundimisht në procedurë parlamentare, i cili do t’u japë mundësinë deputetëve të votojnë ashtu siç kanë premtuar para se të zgjidhen dhe ashtu si Gjykatë Evropiane e të Drejtave të Njeriut e udhëzoi këtë Qeveri si detyrim. Për subjektet politike, kjo mund të jetë një lojë politike intriguese dhe mbledhje e pikëve, mirëpo ju sigurojmë se për komunitetin transgjinor, kjo është mënyra e vetme për të filluar realizimin dhe gëzimin e të drejtave të tyre më elementare njerëzore”, thonë nga “TransFormA”.
“Më 31 mars po dërgojmë me zë të lartë mesazhin ‘Edhe identiteti im ekziston’, me të cilin përpiqemi të rrisim dukshmërinë e personave transgjinorë, që ka një rëndësi kyçe për këto procese me qëllim që të sigurohet integrim adekuat juridik dhe social të këtyre personave në një shoqëri demokratike dhe të qytetëruar, për të cilën Republika e Maqedonisë së Veriut së paku deklarativisht qëndronë”, shtojnë nga “TransFormA” në njoftimin e tyre për ngjarjen.
Dita Ndërkombëtare e Dukshmërisë së Personave Transgjinorë shënohet çdo vit më 31 Mars, ndërsa i kushtohet festimit të personave transgjinor dhe rritjes së ndërgjegjësimit për diskriminimin me të cilin përballen personat transgjinorë në mbarë botën.