Edicioni i fundit i SPARTACUS GAY TRAVEL INDEX ofron një pasqyrë të situatës së personave LGBTI+ në 203 vende dhe rajone të ndryshme. Këtë vit, Malta e mori vendin e parë, ndërsa pas saj Kanada dhe Zvicra të cilat e ndajnë vendin e dytë. Maqedonia e Veriut është në vendin e 70.
Ka ende shumë vende në botë ku personat LGBTI+ kenë frikë për lumturinë dhe sigurinë e tyre. Ndonjëherë për shkak të dallimeve të mëdha në botë, mund të ndodhë që turistët të rrezikojnë sigurinë e tyre me sjellje të pakujdesshme. Duke u kujdesur për sigurinë e turistëve gej në mbarë botën, “Spartacus” boton botimin “Gay Travel Index”. Ky indeks shërben si një udhëzues fillestar, ndërsa më shumë informacion për destinacionin tuaj të dëshiruar të udhëtimit mund të gjeni në ueb sajtin dhe blogun e tyre.
Malta për herë të parë është e vetme në fron. Ky vend ishullor mesdhetar ka bërë përmirësime të rëndësishme në njohjen ligjore të gjinisë dhe këtë vit është nikoqire e EuroPride.
Gjermania e përmirësoi renditjen e saj të përgjithshme për një pikë falë avancimit të legjislacionit për personat interseks në vitin 2021 dhe duke mundësuar mbrojtjen ligjore të të drejtave të tyre për integritet fizik dhe autonomi trupore dhe tani është e nënta në indeks krahas Islandës, Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Zvicra është fituesja më e madhe. Ky vend e bëri kërcimin më të madh këtë vit, prej shtatë në dymbëdhjetë pikë dhe u gjet në vendin e dytë, pjesërisht falë futjes së barazisë martesore për çiftet e të njëjtit seks dhe një ligji progresiv për të njohur ligjërisht gjininë e personave transgjinorë bazuar në vetëvendosjen.
Kosova është e radhitur më keq në mesin e vendeve të Ballkanit, në vendin e 84-të, ndërsa më mirë të radhitura janë Greqia dhe Sllovenia, në vendin e 35-të. Kroacia është në vendin e 48, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi në vendin e 56, Shqipëria dhe Serbia në vendin e 62, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë në vendin e 70.
Ju rekomandojmë së pari të informoheni për situatën me personat LGBTI+ në destinacionin e dëshiruar për udhëtim para se të bëni çfarëdo rezervimi. SPARTACUS GAY TRAVEL INDEX për vitin 2023 mund të shkarkohet këtu, ndërsa krahasimi interaktiv i hartës së botës është i disponueshëm duke klikuar këtu.