Kalo tek përmbajtja

Njohja ligjore e gjinisë për personat transgjinorë është kthyer në fokusin e autoriteteve dhe parlamentit

Të hënën, më 6 mars, në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt takim i përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile që punojnë në tema LGBTI me deputetë të grupit parlamentar ndërpartiak për avancimin e të drejtave të personave LGBTI.

Në takim u diskutua për draft planin e veprimit të grupit dhe bashkëpunimin me sektorin joqeveritar. U diskutuan edhe hapat e ardhshëm për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për evidencat amë që do të mundësojnë njohjen ligjore të gjinisë.

Në kuadër të diskutimit, Lila Miliq dhe Daniel Prodanov, aktivistë nga nisma civile për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të personave transgjinorë “TransFormA”, dhe Natasha Boshkova, avokate dhe përfaqësuese për të drejtat e personave transgjinorë nga “Koalicioni Margjinat” patën fjalimet e tyre para deputetëve në parlament. Mbledhja u drejtua nga koordinatorja e grupit, deputetja Maja Moraçanin.

Foto: Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut

Organizatat civile kanë avokuar prej disa vitesh për miratimin e ligjit që duhet të mundësojë njohjen ligjore të gjinisë për personat transgjinorë në bazë të vetëvendosjes, pa pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Qeveria e dorëzoi projektligjin në Kuvend, por pas reagimeve negative të publikut dhe të disa deputetëve, në mars të vitit të kaluar ai u tërhoq nga procedura parlamentare për hir të përsosjes. Këtë e theksoi edhe Komisioni Evropian në raportin për Maqedoninë e Veriut. Në janar të këtij viti, Ministria e Drejtësisë publikoi në ueb faqen e ENER-it një njoftim për fillimin e procesit për përgatitjen e draftit të ri të Ligjit për evidencën amë, i cili do të përfshijë dispozita, ndër të tjera, për një procedurë për njohjen ligjore të gjinisë.

Për rikujtim, më 17 janar 2019, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut solli aktgjykim në rastin X. kundër Republikës së Maqedonisë, me të cilin është konstatuar shkelje e nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili garanton të drejtën e jetës private dhe familjare, për shkak të mungesës së kornizës ligjore që do të mundësojë njohjen e identitetit gjinor të ankuesit (personit transgjinor) nëpërmjet të ndryshimit të shenjës për seksin në gjendjen civile dhe në këtë mënyrë do të sigurojë respektimin e jetës private të ankuesit. Pas këtij vendimi të gjykatës, shteti ka detyrim të miratojë ligj që do t’u mundësojë personave transgjinorë një procedurë të shpejtë, transparente dhe të aksesueshme për njohjen ligjore të gjinisë.