Raporti Vjetor i ILGA-Evropës, organizata lider LGBTI në Evropë, është një botim që dokumenton zhvillimet ligjore, politike dhe sociale në 54 vende dhe katër institucione evropiane gjatë vitit të kaluar kalendarik. Bëhet fjalë për një raport unik që i ndjek tendencat kryesore pozitive dhe negative në lidhje me barazinë dhe të drejtat e njeriut të personave LGBTI në Evropë dhe Azinë Qendrore.
Raporti i këtij viti zbulon se 2022 ishte viti më i dhunshëm i dekadës së kaluar për personat LGBTI në të gjithë rajonin, si në aspektin e sulmeve të planifikuara, të dhunshme ashtu edhe vetëvrasjeve në një kohë ku gjuha e urrejtjes ishte në rritje dhe e përhapur nga politikanët, udhëheqësit fetarë, organizatave të djathta dhe ekspertëve të medias.
Në raport është treguar fenomeni në rritje i gjuhës anti-LGBTI për shkak të antipatisë ndaj personave LGBTI që u krijua dhe më pas u përdor për përfitime politike. U konstatua se si rezultat i kësaj, sulmet ndaj personave LGBTI me dëshirë të vetëdijshme dhe të qëllimshme që të vriten ose lëndohen janë rritur në nivele të paprecedentë, duke përfshirë dy sulme terroriste që ndodhën jashtë bareve LGBTI në Norvegji dhe Sllovaki, në të cilat u vranë katër persona dhe 22 ishin të gjymtuar. Ka raporte për më shumë vrasje dhe shumë vetëvrasje të personave LGBTI në të gjithë Evropën, jo vetëm në vendet që perceptohen si më regresive.
“Me vite po flasim se gjuha e urrejtjes në të gjitha format e saj kthehet në dhunë fizike të vërtetë. Këtë vit, e pamë që dhuna bëhet gjithnjë më e planifikuar dhe vdekjeprurëse, duke i lënë njerëzit LGBTI në vendet në të gjithë Evropën të ndjehen të pasigurt. Pamë prova që gjuha e urrejtjes anti-LGBTI nuk janë vetëm fjalë të liderëve margjinal dhe autokratëve të mundshëm, por një problem real me pasoja të tmerrshme për njerëzit dhe komunitetet. Ky fenomen është i pranishëm jo vetëm në vendet ku gjuha e urrejtjes është e përhapur, por edhe në vendet ku njerëzit LGBTI besohet se pranohen në mënyrë progresive”, thotë Evelin Paradis, Drejtoreshë Ekzekutive e ILGA-Evropë.
Raporti konstaton se edhe pse gjuha e urrejtjes dhe pasojat e saj kanë arritur nivele kritike, gjykatat kombëtare dhe lokale reagojnë, ndërsa ndjekjet penale janë në rritje në disa vende. Por sipas Paradisit, vetëm reagimi nuk është i mjaftueshëm.
“Edhe pse po përmirësohemi në trajtimin e rezultateve, fokusi duhet të jetë në ndalimin e gjuhës së urrejtjes në të gjitha format e saj. Shumë politikanë anembanë Evropës kanë shprehur tmerrin e tyre për vrasjet e personave LGBTI këtë vit, por edhe përkundër asaj që nevojiten gjithmonë shprehje të qarta solidariteti, kjo nuk trajton rrënjën e problemit, që është përhapja e përdorimit të urrejtjes ndaj personave LGBTI për përfitime politike. Udhëheqësit tanë duhet të gjejnë mënyra për të luftuar në mënyrë proaktive rritjen e gjuhës së urrejtjes, në vend që ta gjejnë veten në pozicion për të reaguar ndaj pasojave të saj”, shtoi Paradis.
Jo të gjitha lajmet janë të këqija. Në disa vende, është bërë përparim i madh, dhe sipas raportit, aktivistët dhe komunitetet e tyre janë shtytës të ndryshimeve pozitive sociale dhe arrijnë të avancojnë mbrojtjen ligjore pavarësisht kundërshtimit të organizuar.
“Aktivistët LGBTI janë lojtarë qendrorë në vendet ku është bërë përparim, siç e pamë në Spanjë dhe Finlandë, ku është bërë një përpjekje e madhe për të ruajtur me sukses njohjen ligjore të gjinisë bazuar në vetëvendosjen në rrugën e duhur politike, pavarësisht nga kundërshtimi i ashpër në të cilin hasi. Kjo vlen për çdo çështje që prek komunitetet LGBTI në rajon, gjë që tregon se personat dhe organizatat LGBTI mbeten të fuqizuara dhe vazhdojnë të bëjnë ndryshime”, tha në një deklaratë Katrin Hugendubel, Drejtoresh për Përfaqësim në ILGA-Evropë.
Raporti i dymbëdhjetë vjetor i ILGA-Evropës është i disponueshëm për t’u shkarkuar duke klikuar këtu, me të gjitha raportet e tjera vjetore, që tregojnë fenomenin e rritjes së gjuhës së urrejtjes ndaj personave LGBTI në Evropë dhe Azinë Qendrore dhe pasojat e saj.
“Këto raporte të njëpasnjëshme tregojnë një histori të shkak-pasojës që nuk do të zhduket ose zvogëlohet derisa politikanët dhe politikëbërësit të kuptojnë se duhet të veprojnë në mënyrë preventive ndaj problemit. Në klimën aktuale, udhëheqësit progresivë duhet të gjejnë mënyra efektive për t’u ballafaquar me gjuhën e urrejtjes në të gjitha format e saj, në vend që ta gjejnë veten të kapur duke u shprehur ngushëllime familjeve të atyre që janë vrarë pa nevojë, ose atyre që kanë marrë jetën e tyre, ndërkohë që urrejtja vazhdon të ushqehet dhe të shfrytëzohet”, përfundon Paradis.
Maqedonia e Veriut në “hartën e ylberit” renditet në vendin 31 nga gjithsej 49 vende dhe shënon ngecje në drejtim të avancimit të të drejtave të personave LGBTI. Raportin e veçantë për Maqedoninë e Veriut mund ta shikoni dhe shkarkoni duke klikuar këtu.