Trupi Koordinues Kombëtar për ndjekjen e gjendjes me modiskriminimin dhe zbatimin e ligjeve, akteve nënligjore dhe dokumenteve strategjike në këtë fushë e mbajti seancën konstituive të përbërjes së dytë të këtij organi më 21 dhjetor 2022, në Sallën solemne në pallatin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Punën e Trupit Koordinues Kombëtar e koordinon Ministria për punë dhe politik sociale, ndërsa për herë të parë është formuar në vitin 2018 me ministren Milla Carovska.
Trupi Koordinues Kombëtar është i përbërë prej koordinatorit, zëvendës koordinator, 32 anëtarë dhe 15 zëvendës anëtarë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, shoqatave, sindikatave, ekspertëve të pavarur, në mesin e të cilëve edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare që punojnë për avancimin e të drejtave të personave LGBTI në vend. Në punën e trupit mund të marrin pjesë edhe ekspertë të jashtëm dhe përfaqësues të Misionit të OSBE-së në Shkup, nga Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në Shkup dhe nga Zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup dhe ekspertë të tjerë të pavarur.
Sipas vendimit të publikuar për themelimin e tij në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 218 të vitit 2022, Trupi Koordinues Kombëtar ka këto detyra: të promovojë konceptin e barazisë dhe mosdiskriminimit në politikat e përgjithshme të të gjitha institucioneve publike duke propozuar masa në nivel vjetor; të ndjekë integrimin e konceptit në politikat sektoriale në bashkëpunim me partnerët socialë dhe institucionet e zonave të veçanta; të monitorojë ecurinë e harmonizimit të legjislacionit kombëtar me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe standardet evropiane në fushën e barazisë dhe mosdiskriminimit; të marrë pjesë në përgatitjen dhe të ofrojë udhëzime në procesin e përgatitjes së Strategjisë për barazi dhe mosdiskriminim; të monitorojë raportet periodike nga institucionet shtetërore; të monitorojë zbatimin e dokumenteve ligjore, nënligjore dhe të tjera strategjike në fushën e barazisë dhe mosdiskriminimit; të ndjekë rekomandimet e Komunitetit Ndërkombëtar në fushën e barazisë dhe mosdiskriminimit dhe të përcaktojë prioritetet në nivel vjetor në këtë fushë; të miratojë planet vjetore operative të MPPS-së.
Në seancën konstituive u aktualizua nevoja për miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për avancimin e të drejtave të komunitetit LGBTI në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në përputhje me obligimin e ndërmarrë në kuadër të Programit Nacional për miratimin e Ligjit të BE-së 2021-2025. Draft-dokumenti i përgatitur nga grupi i punës pranë MPPS-së i krijuar në vitin 2020, i përbërë nga përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe organizatave joqeveritare, duhet të shqyrtohet nga anëtarët e përbërjes së re të Trupit Koordinues Kombëtar në tremujorin e parë të vitit 2023.