Prokuroria Themelore Publike Shkup, pas zhvillimit të procedurës paraprake, ka ngritur propozim aktakuzë kundër 33 vjeçarit nga Shkupi i cili akuzohet për veprën penale – Dhunë nga neni 386 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 3 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.
Më 29.06.2019, i akuzuari në grup me disa persona të tjerë të paidentifikuar, kanë kryer ngacmim, fyerje të rëndë dhe dhunë të rëndë ndaj një personi. Krimi është kryer nga urrejtja për shkak të orientimit seksual të viktimës dhe përkatësisë së të dëmtuarit në komunitetin LGBT. Në datën e përmendur, pas përfundimit të “Paradës së Krenarisë” në Shkup, i dëmtuari me disa persona të tjerë po ktheheshin nga dreka në Matka. Kur kanë filluar të largohen, janë vërejtur nga i akuzuari dhe persona të tjerë të panjohur, të cilët i kanë njohur dhe kanë filluar t’i ofendojnë dhe kërcënojnë. Nga frika për sigurinë e tyre, viktima dhe shoqet e tij kanë hipur në taksi dhe kanë tentuar të largohen, por i akuzuari dhe grupi i tij i kanë ndjekur me vetura. Automjeti taksi në të cilin ndodhej i dëmtuari është penguar nga një veturë tjetër dhe është detyruar të ndalojë, pas së cilës i pandehuri ka hapur me forcë derën e pasagjerit dhe e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin, e ka goditur me boks dhe ka filluar ta tërheqë për ta nxjerrë jashtë automjetit.
Në atë mënyrë i akuzuari i ka shkaktuar viktimës lëndime fizike – kontuzion dhe plagë çarje -mavijosje, ndërsa te dëshmitarët tjerë të ngjarjes ka shkaktuar ndjenjën e pasigurisë, kërcënimit dhe frikës – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike të RSM-së.