Kalo tek përmbajtja

Barazia martesore tani është realitet në të gjithë Meksikën

Në Meksikë, që nga java e kaluar, barazia martesore është e disponueshme për të gjithë njerëzit, pavarësisht se në cilin nga 32 shtetet federale jetojnë. Miratimi i barazisë martesore në Meksikë paraqet përfundimin me sukses të një procesi që ka zgjatur më shumë se 12 vjet.

Tamaulipas legalizoi martesat e të njëjtit seks pasi kuvendi e votoi këtë masë të mërkurën, më 26 tetor. Është i fundit nga 32 shtetet që përbëjnë Meksikën që e bëri këtë, raportoi Associated Press.

Presidenti i Gjykatës së Lartë, Arturo Zaldivar, shkroi në Twitter: “I gjithë vendi po shkëlqen me një ylber të madh. Rroftë dinjiteti dhe të drejtat e të gjithë njerëzve. Dashuria është dashuri.”.

Një ditë më parë, ligjvënësit në shtetin jugor të Guerreros miratuan një ligj të ngjashëm që lejon martesat mes të njëjtit seks. Me votimin në shtetin kufitar të Tamaulipas u rrumbullaksua zgjerimi i barazisë martesore në të gjithë Meksikën.

Në vitin 2015, Gjykata e Lartë i shpalli ligjet shtetërore që parandalonin martesat e të njëjtit seks si jokushtetuese, por disa shteteve iu deshën disa vite për të miratuar ligje në përputhje me vendimin e gjykatës së lartë.