Kalo tek përmbajtja

Sipas raportit të Komisionit Evropian, Maqedonia e Veriut qëndron pa asnjë lëvizje sa u përket të drejtave LGBTI

Të mërkurën, më 13 tetor, Drejtoria për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian publikoi raportin për Maqedoninë e Veriut për vitin 2022, që mbulon periudhën nga qershori i vitit 2021, deri në qershor të vitit 2022. Në pjesët e tekstit që kanë të bëjnë me të drejtat e personave LGBTI, si më parë, nuk është vërejtur ndonjë përparim i madh. E vetmja “arritje” e autoriteteve në këtë fushë, duke gjykuar nga përmbajtja e raportit, është se kanë siguruar mbajtjen e sigurt të Paradës së Krenarisë në Shkup në qershor të vitit 2021.

Në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, ndër të tjera, raporti thekson se “klubi i deputetëve dhe grupet parlamentare interpartiake për të rinjtë, LGBTIQ, personat me aftësi të kufizuara dhe romët kanë realizuar aktivitete të shumta në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit të organizatave të shoqërisë civile”. Pavarësisht këtyre aktiviteteve afirmative, të cilat kryesisht mbeten vetëm me pi-ar, ende nuk ka rezultate të prekshme për përmirësimin e cilësisë së jetës së personave LGBTI, të cilët vazhdojnë të jetojnë në margjinat e shoqërisë, të ekspozuar ndaj stigmatizimit të vazhdueshëm dhe dhunës verbale e fizike.

Në vazhdim ju paraqesim një fragment nga raporti që ka të bëjë me të drejtat LGBTI, gjegjësisht pozitën dhe aksesin në të drejtat e njeriut të personave LGBTI.

Promovimi i barazisë dhe dënimi i gjuhës së urrejtjes, krimit të urrejtjes, diskriminimit dhe intolerancës ndaj personave lezbike, gej, biseksualë, transgjinorë, interseks dhe queer duhet të jetë sistematik. Pavarësisht ekzistencës së një kornize ligjore për mbrojtjen nga diskriminimi dhe krimet e urrejtjes bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor, zbatimi i këtyre ligjeve mbetet një sfidë. Pas vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (që nga janari i vitit 2019), autoritetet kanë përgatitur ndryshime në ligjin e regjistrimit të lindjes për të futur një procedurë për njohjen ligjore të gjinisë. Megjithatë, projektligji u tërhoq nga procedura parlamentare në mars të vitit 2022 për shkak të ndryshimeve të mëtejshme. Korniza ligjor nuk lejon njohjen zyrtare të çifteve të të njëjtit seks.

Disa politikanë bënë deklarata homofobike dhe diskriminuese. Nuk ka përparim në hetimet për sulmet ndaj Qendrës së mbështetjes LGBTI në 2012, 2013 dhe 2014. Në nëntor të vitit 2021, zyra e një organizate LGBTIQ në Tetovë u vandalizua dhe aktivistët morën kërcënime me vdekje. Mungesa e mbledhjes sistematike të të dhënave për krimin e urrejtjes bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor dhe monitorimi joefektiv i tij nga autoritetet mbetet një problem serioz. Rastet e krimeve të urrejtjes regjistrohen në një bazë të dhënash të shoqërisë civile nga e cila bëhen raportet. Nevojiten masa për të rritur kapacitetin dhe ndërgjegjësimin e punonjësve të policisë dhe avokatëve për të parandaluar dhe ndjekur penalisht të gjitha rastet e dhunës, krimit të urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes. Nuk është bërë asnjë përparim për të larguar stereotipet negative dhe gjuhën e urrejtjes kundër personave LGBTIQ në tekstet shkollore, apo për të miratuar planin kombëtar të veprimit për LGBTIQ për periudhën 2021-2025. Në qershor të vitit 2021, autoritetet mundësuan organizimin e suksesshëm të Paradës së Krenarisë, ku morën pjesë presidenti i Maqedonisë së Veriut dhe disa ministra. Gjuha e urrejtjes dhe termat nënçmues për personat LGBTIQ vazhdojnë të mbizotërojnë në hapësirën e internetit. Nevojiten përpjekje serioze për të mbrojtur dhe për t’u mundësuar njerëzve t’i realizojnë të drejtat e tyre LGBTIQ.