Në periudhën e kaluar, Maqedonia e Veriut ka shënuar ngecje alarmante sa i përket avancimit të të drejtave të personave LGBTI në drejtim të arritjes së barazisë për qytetarët nga pakicat seksuale dhe gjinore. Që nga miratimi i Ligjit të ri për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në tetor 2020, në të cilin orientimi seksual dhe identiteti gjinor u përfshinë në mënyrë eksplicite si baza diskriminuese, as qeveria dhe as parlamenti nuk kanë dëgjim për zgjidhjen e sfidave dhe problemeve ligjore të përditshme, me të cilat përballet prej dekadash komuniteti LGBTI.
Plani Kombëtar i Veprimit për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit LGBTI 2021-2025, i cili është dashur të miratohet deri në fund të vitit 2020, dhe në kuadër të Programit Kombëtar për miratimin e ligjit të Bashkimit Evropian, është ende i bllokuar në ndonjë nga sirtarët e zyrave ndërkohë që partnerët e koalicionit në qeveri po llogaritin pikët politike që do të fitonin apo humbnin nga votuesit e tyre duke miratuar këtë dokument. Të njëjtin fat e ndan edhe projektligji për ndrysim dhe plotësimin e Ligjit për Evidentimin në Lirat Amë, i cili duhej të mundësonte njohjen ligjore të gjinisë për personat transgjinorë në bazë të vetëvendosjes, pa pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Qeveria e dorëzoi projektligjin në Kuvend, por pas reagimeve negative të publikut dhe disa deputetëve, e tërhoqi nga procedura parlamentare në mars të këtij viti për hir të përsosjes. Deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk ka asnjë lëvizje për miratimin e tij.
Një ditë në vit, Ministria e Brendshme kujdeset për sigurinë e personave LGBTI dhe mbështetësve të tyre që marrin pjesë në Paradën e Krenarisë në Shkup, ndërsa 364 ditët e tjera minoritetet seksuale dhe gjinore jetojnë në frikë dhe me kërcënime të vazhdueshme për jetën e tyre. Policia, zyra e prokurorit publik dhe gjyqësori në shumicën e rasteve nuk arrijnë të njohin, ndjekin penalisht dhe ta sanksionojnë gjuhën e urrejtjes dhe aktet e urrejtjes bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Qëndrimet negative diskriminuese ndaj personave LGBTI mbeten të pranishme në retorikën e politikanëve dhe partive politike, si dhe në diskursin publik.
Përveç mbështetjes së herëpashershme deklarative nga disa zyrtarë qeveritarë dhe parlamentarë, e akoma më pak prej atyre që punojnë me përkushtim në këto çështje, personat LGBTI mbeten të pambrojtur, në një pozitë të cenueshme, në margjinat e shoqërisë, në pamundësi për të realizuar dhe shijuar shumë prej të drejtave të njeriut dhe lirive themelore që bashkëqytetarët e tyre heteroseksualë dhe cisgjinorë i marrin si të mirëqena.
Në hartën e ylberit të ILGA-Evropë për vitin 2021, e cila rendit situatën juridike dhe politike të personave LGBTI në 49 vende evropiane, Maqedonia e Veriut ishte në vendin e 31-të, duke arritur vetëm 27% të kritereve të nevojshme në rrugën drejt respektimit të të drejtave të njeriut dhe barazi të plotë. Nga vendet e Gadishullit Ballkanik vetëm Bullgaria renditet më keq se ne, në vendin e 40-të me 18%.