Kalo tek përmbajtja

Sllovenia do t’ju mundësojë çifteve të të njëjtit seks të martohen dhe të birësojnë fëmijë

Vendi, i cili ishte pjesë e ish-Jugosllavisë deri në pavarësinë në 1991, është i pari nga blloku lindor që u jep këto të drejta çifteve të të njëjtit seks

Gjykata Kushtetuese e Sllovenisë ka vendosur se ndalimet për çiftet e të njëjtit seks që martohen dhe birësojnë fëmijë janë jo kushtetuese dhe urdhëroi parlamentin ndryshojë ligjin brenda gjashtë muajve për t’u dhënë atyre gjithashtu këto të drejta. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese më 8 korrik sollën vendime për të dyja çështjet me 6 vota “për” dhe 3 “kundër”, duke gjetur se ligjet e Sllovenisë që lejojnë vetëm çiftet heteroseksuale të martohen dhe birësojnë fëmijë, shkelin ndalimin kushtetues për diskriminimin.

Diskriminimi ndaj çifteve të të njëjtit seks “nuk mund të justifikohet me kuptimin tradicional të martesës si një bashkim midis një burri dhe një gruaje, as me mbrojtjen e veçantë të familjes”, sipas vendimit të raportuar nga agjencia sllovene e lajmeve. Vendimi, për të cilin gjykata tha se hyn në fuqi menjëherë, hap rrugën për avancimin e të drejtave të personave LGBTI në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku disa vende kanë ndalime kushtetuese për martesat e të njëjtit seks dhe asnjë nuk ka lejuar deri më tani dasmat e çifteve të të njëjtit seks.

Qeveria e Estonisë iu afrua më së shumti në vitin 2016 kur ra dakord të njihte partneritetet e të njëjtit seks të lidhura në vende të tjera. Kroacia, Republika Çeke, Hungaria dhe Mali i Zi kanë ligje me të cilat lidhen partneritete civile të të njëjtit seks. Në vendet fqinje, partneritetet civile të të njëjtit seks janë gjithashtu të disponueshme në Itali dhe Zvicër, ndërsa në Zvicër në korrik këtë vite hyri në fuqi ligji që lejon martesat e të njëjtit seks, afërsisht nëntë muaj pasi 64.1% e votuesve të vendit në një referendum kombëtar mbështetën ligjin “Martesa për të gjithë”, i cili u jep partnerëve të të njëjtit seks të njëjtat të drejta si çiftet heteroseksuale, duke përfshirë të drejtën për të adoptuar bashkërisht fëmijë dhe garantimin e bashkëshortit për të marrë nënshtetësinë zvicerane.

Vendimi i gjykatës në Slloveni, e cila ishte një republikë socialiste nën sundimin komunist si pjesë e ish-Jugosllavisë përpara se të bëhej një vend i pavarur në 1991, vjen vetëm dy javë pasi qeverisjen e morri qeveria liberale – një koalicion i Lëvizjes së Lirisë me Social Demokratët dhe të Majtën, kryesuar me kryeministrin Dr. Robert Golob – duke zëvendësuar atë të mëparshmen të udhëhequr nga konservatorët e djathtë.

Edhe pse gjykata u dha ligjvënësve gjashtë muaj për të ndryshuar ligjet ekzistuese për të përmbushur vendimin, sipas ministrit slloven të punës, familjes, punëve sociale dhe mundësive të barabarta Luka Mesec, ndryshimet e nevojshme do të përgatiten gjatë të njëjtit muaj – raporton Associated Press. “Gjykata Kushtetuese na ka urdhëruar ta bëjmë dhe ne do ta bëjmë me shumë kënaqësi”, tha Mesec.

Gjykata Kushtetuese po shqyrtonte këtë çështje pas ankesave të marra nga dy çifte të të njëjtit seks, të cilët nuk mund të martoheshin ose të kualifikoheshin për të birësuar fëmijë.

Vendimi “nuk e zvogëlon rëndësinë e martesës tradicionale si një bashkim midis një burri dhe një gruaje, as nuk ndryshon kushtet në të cilat njerëzit e seksit të kundërt martohen”, thanë gjyqtarët në arsyetimin e tyre. Vendimi “thjesht do të thotë që partnerët e të njëjtit seks tani mund të martohen në të njëjtën mënyrë si partnerët heteroseksualë”.

Nga fqinjët e Maqedonisë së Veriut, vetëm Greqia ka mundësuar partneritete civile të regjistruara për çiftet e të njëjtit seks, të disponueshme edhe për çiftet e seksit të kundërt. Në Serbi, nga ana tjetër, teksti i ligjit për partneritetet e të njëjtit seks tashmë është përgatitur dhe pritet që së shpejti të dalë para deputetëve në Kuvendin Popullor.