Pas disa vitesh luftë për barazi të komunitetit LGBTI+ në rajon, Beogradi këtë shtator do të jetë nikoqirë i EuroPride. Kjo paraqet një kthesë të madhe për komunitetin LGBTI+ në të gjithë rajonin e cila do të shënojë fillimin e një epoke të re.
EuroPride 2022 do të mbahet në Beograd nga 12 deri më 18 shtator 2022. Kryeqyteti serb do të jetë qyteti i parë në Evropën Juglindore dhe i pari jashtë Zonës Ekonomike Evropiane që do të presë një ngjarje kaq të madhe për komunitetin LGBTI+ pan-evropian.
Komuniteti LGBTI+ në Ballkanin Perëndimor përballet me pabarazi dhe diskriminim të dukshëm. EuroPride në Beograd është një kthesë historike në rajon që tregon qartë përpjekjet e aktivistëve LGBTI+ drejt arritjes së barazisë dhe i fuqizon aktivistët për të vazhduar luftën e tyre. EuroPride në Beograd do të jetë një mundësi për njerëzit e Evropës që të tregojnë solidaritet me komunitetin LGBTI+ nga Ballkani Perëndimor dhe të japin mirënjohje për luftën e tyre të gjatë për barazi, tolerancë dhe të drejta të njeriut që filloi dy dekada më parë me Prajdin e parë në Beograd të mbajtur në vitin 2001.
Edhe pse është bërë përparim i dukshëm në vitet e fundit, diskriminimi kundër komunitetit LGBTI+ në rajon është ende i përhapur. Qeveritë në të gjithë rajonin kanë injoruar thirrjet e aktivistëve dhe pjesëtarëve të komunitetit për të drejta të barabarta për personat LGBTI+ për vite me radhë. EuroPride do të ndihmojë komunitetin LGBTI+ në rajon që të ushtrojë presion shtesë mbi qeveritë për të zbatuar ligjet ekzistuese që mbrojnë të drejtat LGBTI+ dhe për të miratuar ligje të reja, veçanërisht në lidhje me statusin ligjor të partneriteteve të të njëjtit seks – thuhet në deklaratë.
Sipas organizatorëve, EuroPride në Beograd shënon një hap të rëndësishëm në rrugën drejt arritjes së barazisë për komunitetin LGBTI+ në Ballkanin Perëndimor, duke ofruar energjinë e nevojshme për aktivistët dhe komunitetin për rrugën e gjatë përpara.