Kalo tek përmbajtja

Shkupi Prajd 2022: Më 25 qershor dil për dashurinë!

Rrjeti Kombëtar kundër Homofobisë dhe Transfobisë mbajti konferencë për shtyp kushtuar edicionit të sivjetshëm të Shkupi Prajd, që do të mbahet më 25 qershor 2022 (e shtunë) nën moton “Dil për dashurinë! Dinjitet. Barazi. Drejtësi.”

Ndryshe nga dy paradat e mëparshme të krenarisë, këtë vit koha e mbajtjes është zhvendosur gjatë orëve të pasdites. Pikënisja ashtu si edhe vitet e kaluara do të jetë nga parku “Gruaja-luftëtare”, ku nga ora 17:00 do të fillojë mbledhja e pjesëmarrësve, ndërsa në ora 19:00 pas fjalimeve të shkurtra përshëndetëse do të fillojë marshi protestues nëpër rrugët e Shkupit dhe do të përfundojë me program kulturor-argëtues në stadiumin e ARM-së në Parkun e Qytetit.

“Pse bëjmë thirrje të dalim për dashuri? Sepse në kohë krize, lufte dhe varfërie, dashuria harrohet lehtë, ndërsa urrejtja pushton mendjet dhe zemrat e njerëzve edhe më lehtë. Sepse vetëm me dashuri mund t’i kundërvihemi dhunës së cilës i nënshtrohen të ndryshmit edhe kur ka paqe për të gjithë të tjerët. Sepse askush nuk duhet të privohet nga e drejta për të dashuruar ose të persekutohet sepse dashuria e tij nuk njihet nga normat dhe ligjet. Sepse dashuria duhet të fitojë” – tha Katerina Ivanova rreth temës së sivjetshme të Shkupi Prajd.

Stefan Petrovski iu referua kërkesave për dinjitet, barazi dhe drejtësi: “Në vendin tonë, dinjiteti i personave LGBT+ është ende duke u nëpërkëmbur – ata janë vazhdimisht në shënjestër të poshtërimit, dehumanizimit dhe gjuhës së urrejtjes në diskursin publik dhe politik. Ata kanë qasje të vështirë në realizimin e të drejtave të njeriut, zërat dhe nevojat e tyre shpesh neglizhohen në politikë bërje, ndërsa legjislacioni kombëtar i përshtatur në mënyrë konservative i vendos ata në një pozitë të pabarabartë vartëse ndaj bashkëqytetarëve të tyre heteroseksualë. Lëndët e krimeve të dokumentuara të urrejtjes ndaj tyre janë ngujuar në labirintet mendore dhe ligjore të prokurorisë dhe trendi i mosndëshkimit të autorëve të dhunës normalizon dhe inkurajon sjelljen e tillë. Drejtësia do të arrihet kur barazia do të bëhet realitet, ndërsa dinjiteti njerëzor koncept normativ”.

Nevojën e mbajtjes së paradave të krenarisë e shpjegoi Koço Andonovski: “Shumë gjëra, në shumë vende, kanë ndryshuar që kur Prajdi i parë u mbajt në vitin 1970 në Nju Jork. Megjithatë, progresi në fushën e të drejtave të njeriut LGBT+ nuk është i barabartë dhe as i mjaftueshëm dhe vazhdimisht përballet me sulme nga forca që kundërshtojnë të drejtat universale të njeriut. Kjo është arsyeja pse Prajdi mbetet një formë e rëndësishme proteste nga komuniteti LGBT+ kundër stigmës, paragjykimeve dhe dhunës. Prajdi është një thirrje në emër të miliona njerëzve që përballen me përjashtimin social, autonominë trupore të dëmtuar dhe aksesin e kufizuar në shërbimet e disponueshme për të gjithë. Shkupi Prajd, si dhe paradat e tjera të krenarisë, është një festë dashurie, një ditë vizibiliteti për të margjinalizuarit dhe, natyrisht, një rast për të festuar qëndrueshmërinë e luftës sonë për barazi”.

Paradat e krenarisë janë një recetë e provuar dhe e dëshmuar për festa të mira dhe mbledhi të paharrueshme. Shkupi Prajd 2022, sipas organizatorëve, do të ofrojë një program të pasur kulturor dhe argëtues, me performanca muzikore live, performanca nga drag queens nga vendi dhe rajoni dhe DJ. Këtë vit, tradicionalisht, programin do ta hapë përfaqësuesja maqedonase në Eurovizion, Andrea, ndërsa do të performojë edhe diva jonë e estradës dhe këngëtarja operistike Nade Talevska – Spasovska.

“Në Shkupi Prajd ne festojmë diversitetin seksual dhe gjinor dhe promovojmë kulturën queer. Ky Prajd me siguri do të jetë një eksperiencë unike, për të cilën ndër të tjera do të kujdeset treshja fantastike e drag queens nga Serbia fqinje, Alex Elektra, Dita Von Bill dhe Lana Vee, nga përtej oqeanit, nga Nju Jork (SHBA) vjen edhe një divë, Ronda Vu, ndërsa nga vendi ynë kemi madhërinë e saj Divon Jane, dhe shoqen e saj Linda Socialista e cila është e vendosur të shkatërrojë patriarkatin duke i shkrepur butësisht qerpikët e saj fals”, shtoi Ivanova, duke iu referuar programit ku përfshin DJ set nga DJ Andrej Micajkov, DJ Jana Todorovska, DJ Martina Peneva, DJ Marko Rikaloski dhe DJ Xhinxher.

Programi në stadiumin e ARM-së do të fillojë në ora 20:30 dhe do të zgjasë deri në ora 01:00.