Partnerët e të njëjtit seks në Kroaci mund t’i qasen së bashku vlerësimit të prindërve birësues dhe nuk duhet të jenë të diskriminuar në bazë të orientimit të tyre seksual.
Ky është rezultat i aktvendimit të Gjykatës së Lartë Administrative të Republikës së Kroacisë, e cila refuzoi ankesën e ministrisë kompetente ndaj aktvendimit të Gjykatës Administrative në Zagreb nga prilli i vitit 2021, me të cilin partnerëve bashkjetues Mladen Koziq dhe Ivo Shegota duhej t’ju mundësohet akses në procedurën.për vlerësim për adoptim.
Koziq dhe Shegota aplikuan në një qendër të kujdesit social gjashtë vjet më parë me dëshirën për t’u bërë kujdestarë dhe prindër birësues. Kërkesat e tyre janë pranuar në rregull, por më pas në të dyja procedurat janë refuzuar vetëm për shkak se kanë qenë në partneritet jetësor. Pas një beteje të gjatë ligjore, në vitin 2020 ata u bënë me sukses kujdestarë të dy fëmijëve.
Gjykata administrative e shkallës së parë vendosi vitin e kaluar se ata mund të bëhen prindër birësues dhe tani, më në fund, pas ankesës së pasuksesshme të ministrisë, vendimi i Gjykatës së Lartë Administrative hoqi të gjitha dyshimet, transmeton portali kroat Crol.hr.
Pa luftë kjo nuk do të ishte e mundur
Shegota dhe Koziq nuk e fshehin kënaqësinë e tyre për vendimin e Gjykatës së Lartë Administrative.
“Historia jonë e birësimit filloi në vitin 2016, kur sistemi na refuzoi sepse ne jemi çift i të njëjtit seks në një partneritet jetësor. Odisea e gjykatës zgjati gjashtë vjet. Gjashtë vitet tona nuk janë asgjë në krahasim me gjashtë vitet e jetës së fëmijëve që mund të kishim adoptuar edhe atëherë. Fëmijë që nuk patën shanset e jetës që kishim ne në rritjen tonë. Gjashtë vitet e humbura të atyre fëmijëve shkojnë në shpirtin e politikës e cila në emër të mbrojtjes së të ashtuquajturve vlera tradicionale ishin gati të shkelnin të drejtat familjare të fëmijëve të harruar nga shoqëria”.
“Për dy vitet e fundit familja jonë merr frymë dhe jeton për dy fëmijët për të cilët u kujdesëm. Përvojat e tyre në kopsht, shkollë, futboll, taekvondo, festa ditëlindjesh me miq të rinj, udhëtime, pikniqe, gatim së bashku, kopshtari në kopshtin tonë, kujdesi për qentë dhe macet tona, leximi i pashmangshëm i tregimeve të natës së mirë, që asnjë nga këto nuk do të ishte nëse nuk guxuam të luftonim mullinjtë e erës. Dëshira jonë e madhe është të birësojmë fëmijët për të cilët kujdesemi ditë e natë dy vitet e fundit. Nga gëzmi për pesën e parë në shkollë apo biçikletën e parë deri në netët pa gjumë për shkak të temperaturës, nga e qeshura deri te lotët, ne jetojmë bashkë dhe për njëri-tjetrin jemi gjithçka në këtë botë. Nëse kjo nuk është familje, atëherë nuk e dimë se çfarë është familje”, shtuan Ivo dhe Mladen.
Ky vendim ka pasoja të gjera për të drejtat e personave LGBT+ dhe çifteve të të njëjtit seks në Republikën e Kroacisë, sepse sipas saj, partnerët e jetës në Kroaci janë praktikisht të barabartë në të drejta si bashkëshortët. Gjykata hodhi poshtë argumentin e ministrisë se çiftet e të njëjtit seks nuk duhet t’i drejtohen vlerësimit të prindërve birësues për të “mbrojtur interesat më të mira të fëmijës”.
Është konfirmuar ajo që duhej shumë kohë më parë – e drejta për jetë familjare
Përkatësisht, për shkak se gjatë vlerësimit nuk ka fëmijë që duhet të mbrohet, por mundësisht vetëm pasi Qendra për Përkujdesje Sociale të japë mendim pozitiv, prindërit adoptues mund të fillojnë procedurën për adoptimin e fëmijës – për të cilën Qendra përsëri vendos nëse është në interesin më të mire, të jet i birësuar nga një çift i të njëjtit seks.
Aktvendimi në më shumë vende i përmend vendimet e mëparshme të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që garantojnë mbrojtjen e çifteve të të njëjtit seks dhe zbatimin e Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.
“Ky verdikt ka një rëndësi të madhe simbolike për të gjithë personat LGBT+ në Kroaci. E drejta jonë për jetë familjare është e afirmuar dhe se orientimi seksual i dikujt nuk mund të jetë bazë për diskriminim. Ne jemi shumë krenarë për anëtarët tanë Ivo dhe Mladen, dhe këmbëngulja dhe lufta e tyre me sistemin ka ndryshuar shoqërinë tonë dhe ka rrënjosur shpresën, veçanërisht te të rinjtë LGBT+ në Kroaci, se sistemi mund të ndryshojë dhe se e nesërmja mund të jetë më e mirë. Ky vendim ka shumë implikime të tjera për personat LGBT+ në Kroaci dhe familjet e tyre, por për këtë një herë tjetër. Kërkimi ynë për barazi nuk ka përfunduar, por ky është një hap i madh përpara. I ftojmë të gjithë çiftet e të njëjtit seks që janë të interesuar për birësim dhe duan të dinë më shumë informata, mos ngurroni të na kontaktoni,” tha Daniel Martinoviq, përfaqësues i shoqatës “Familje të Ylberit”.
Vendimi i Gjykatës së Lartë Administrative ndryshon sistemin e vlerësimit për prindërit birësues dhe u hap dyert të gjithë çifteve të të njëjtit seks në Kroaci që vendosin të krijojnë familje përmes birësimit, me çka arrihet kështu një marrëdhënie e qëndrueshme prind-fëmijë.