Me rastin e 17 Majit – Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, Grupi Parlamentar Ndërpartiak për Avancimin e të Drejtave të Personave LGBTI shpreh mbështetjen për personat LGBTI, respektimin e të drejtave të tyre si të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen nga diskriminimi, gjuha e urrejtjes dhe dhuna.
Në periudhën e kaluar janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për avancimin e të drejtave të personave LGBTI. Me rëndësi të veçantë është miratimi i Ligjit të ri për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, i cili në mënyrë eksplicite rendit orientimin seksual dhe identitetin gjinor si bazë për diskriminim, formimi i Komisionit profesional për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe mbajtja e dy Paradave të Krenarisë.
Por, stigmatizimi, diskriminimi, gjuha e urrejtjes dhe dhuna ndaj personave LGBTI mbeten sfidë për shoqërinë maqedonase. Një shqetësim i veçantë është gjuha aktuale e urrejtjes dhe dhuna ndaj personave LGBTI, siç ishte sulmi fizik ndaj kryetarit të shoqatës qytetare “LGBTI United”, Bekim Asani. U bëhet thirrje institucioneve kompetente që të sigurojnë hetim efikas dhe efektiv dhe sanksionim të autorëve, në këtë dhe në të gjitha rastet e tjera të gjuhës dhe akteve të urrejtjes. Kjo do të dërgojë mesazh të qartë të zero tolerancës për gjuhën e urrejtjes, dhunën dhe diskriminimin ndaj personave LGBTI.
Duke e pasur parasysh diskriminimin me të cilin përballen personat transgjinorë, si dhe vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen “Iks”, mbetet detyrimi që përmes ndryshimeve të Ligjit për evidencën e amzës të ofrojmë procedurë të shpejtë, transparente dhe lehtësisht të qasshme për njohjen juridike të gjinisë, në bazë të vetëvendosjes.