Pikërisht 10 vjet më parë, më 16 maj 2012, u themelua Shoqata LGBTI UNITED Tetovë. Pesë të rinj LGBTI, të cilët deri atëherë jetonin çdo ditë duke lundruar nëpër sfidat dhe problemet e imponuara nga mjedisi i tyre heteronormativ dhe duke vuajtur pasojat e homofobisë kronike, bifobisë dhe transfobisë së shoqërisë konservatore, duke u nisur nga nevoja për t’a mbrojtur veten dhe të drejtat e tyre dhe publikisht ta artikulojnë pakënaqësinë e tyre dhe të kërkojnë ndryshimin e status quo-së së patolerueshme, vendosën të bashkojnë forcat dhe të krijojnë një organizatë qytetare që do të jetë zëri i personave LGBTI të heshtur dhe pa të drejta dhe do të avokojë për avancimin e pozitës së tyre dhe aksesin në të drejtat e njeriut.
Fillimet e LGBTI JUNAJTED nuk ishin aspak të lehta: pa hapësirë pune dhe pa resurse, por me shumë dëshirë dhe pasion për aksion. Ndryshimin e filluam me hulumtimin e revoltës, duke ua bërë me dije homofobëve se jemi këtu dhe se ekzistojmë. Pas dy vitesh pasoi hapja e zyrës tonë në Tetovë. Por, deshëm ajo të jetë më shumë se zyrë, deshëm të krijojmë hapësirë të sigurtë ku njerëzit LGBTI nga Tetova dhe rrethina do munden të vijnë dhe të ndjehen të sigurtë dhe të lirë të jenë vetja dhe autentik dhe ta komunikojnë orientimin e tyre seksual ose identitetin gjinor. Dhe, kështu lindi edhe Qendra ditore e komunitetit LGBTI e cila funksionon edhe sot e kësaj dite.
Dhjetë vitet e kaluara LGBTI JUNAJTED zhvillohej dhe rritej bashkë me komunitetin LGBTI në Maqedoninë e Veriut. Së bashku kaluam nëpër ulje dhe ngritje. Së bashku qeshnim dhe qanim. Së bashku fituam shumë beteja, por lufta për barazi vazhdon.
Sot shënojmë dhjetë vjet të ekzistencës sonë. Dhe, për nder të kësaj, synuam të organizonim një festë të madhe në të cilën do t’ju ftojmë të gjithë së bashku për të festuar këtë jubile të rëndësishëm për ne. Fatkeqësisht, për shkak të rrethanave të caktuara, kjo nuk është e mundur sot dhe e kemi shtyrë për muajin e ardhshëm, për çka do të njoftoheni me kohë.
Ne shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë mbështetësit tanë, por mbi të gjitha për komunitetin LGBTI i cili është në fokusin e punës sonë dhe pa rezerva na jep shtysë për të mbijetuar në luftën për një të nesërme më të mirë në të cilën të gjithë do të jemi të lirë dhe të barabartë.