Kalo tek përmbajtja

Në disa shtete ka progres, në të tjera regres, në Maqedoninë e Veriut stagnim të të drejtave LGBTI – zbulon Harta e Ylberit

Edhe pse demokracia në Evropë është nën presion rritës dhe përballet me sfida të jashtëzakonshme, harta e ylberit e ILGA-Evropë e cila i referohet vitit 2021 identifikon hapa përpara në të drejtat LGBTI në disa shtete.

Harta e ylberit, e cila rendit situatën ligjore dhe politike të personave LGBTI në 49 shtete evropiane, zbulon se në 12 muajt e fundit ka pasur një dinamikë të re që mbush boshllëqet të cilat ekzistonin rreth të drejtave LGBTI dhe i zhvendos standardet, duke u dhënë qeverive hapësirë mbi të cilën mund të ndërtojnë progres.

Por nga ana tjetër, disa vende që dikur ishin liderë në të drejtat LGBTI tani shënojnë rënie, ndërsa të tjera rrezikojnë të ndjekin precedentin e shteteve ku të drejtat LGBTI instrumentalizohen për qëllime politike.

Harta e Ylberit, e cila që nga viti 2009 publikohet çdo maj, ndërsa me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë, Bifobisë dhe Interseksfobisë (IDAHOBIT), rendit të gjitha 49 shtetet në një shkallë midis 0% (shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, diskriminim) dhe 100% (respektim i të drejtave të njeriut, barazi e plotë). Gjetjet e këtij viti janë një kontrast i mirëpritur kundrejt atyre të hartës së vitit të kaluar, e cila identifikonte stagnim të plotë të të drejtave LGBTI dhe barazisë në të gjithë Evropën.

Pavarësisht dinamikës së re të reflektuar në zhvillimet pozitive, situata mbetet e brishtë. Shqetësuese janë intensifikimi i diskursit politik armiqësor, stagnimi legjislativ, ndërsa në disa vende edhe heqja e LGBTI të drejtave dhe lirive.

Maqedonia e Veriut me vetëm 27%, si edhe vitin e kaluar, shënon stagnim. Nuk ka konsensus mes partnerëve të koalicionit në Qeveri për miratimin e Planit kombëtar të veprimit për avancimin e të drejtave të komunitetit LGBTI 2021-2025, i cili duhеј të miratohej në fund të vitit 2020, në kuadër të Programit Kombëtar për Miratimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian. Propozimligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për evidencat në librat amë, i cili duhej të mundësonte njohjen ligjore të gjinisë së personave transgjinorë, ishte i tërhequr nga ana e Qeverisë nga procedura parlamentare. Policia, zyra e prokurorit publik dhe gjyqësori në shumicën e rasteve dështojnë në njohjen, ndjekjen dhe sanksionimin e gjuhës së urrejtjes dhe krimet nga urrejtja bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Qëndrimet diskriminuese negative ndaj personave LGBTI mbeten të pranishme në retorikën e politikanëve dhe partive politike.

“Të drejtat e njeriut dhe barazia e personave LGBTI janë shenjë dalluese e një shoqërie demokratike ku të drejtat dhe liritë e njeriut për të gjithë qytetarët respektohen dhe mbështeten plotësisht. Historia e kohëve të fundit na mësoi se një nga hapat e parë drejt erozionit të demokracisë është sakrifica zyrtare e personave LGBTI dhe cenimi i të drejtave të tyre njerëzore. Ajo në thelb është një akt i targetimit të pakicës së cenueshme për të minuar lirinë më të gjerë. Si ILGA-Europe, me vite ka paralajmëruar për këtë, ndërsa ngjarjet e fundit në Evropë dëshmojnë se nuk mund të jemi indiferentë kur targetimi politik i minoriteteve përdoret nga forcat antidemokratike. Kundërhelmi ndaj indiferencës është veprimi. Në këtë kohë, është e domosdoshme që ne ta avancojmë në mënyrë aktive barazinë duke krijuar politika dhe praktika edhe më të forta për të siguruar që shoqëritë tona të jenë vërtet të drejta, gjithëpërfshirëse dhe respektuese për të gjithë”, tha Drejtoresha Ekzekutive e ILGA-Evropë, Evelin Paradi.